Konjufca: Kosova është e gatshme për t’u bërë pjesë e OKB-së dhe BE-së
Në konferencën e mbajtur për hartimin e Agjendës transformuese të Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se nevojitet bashkëpunim nga të gjitha shtetet për të arritur barazi dhe mirëqenie, pa dallim.
Konjufca, ka thënë se Kosova është e zotuar për të kontribuar në përpjekje të përbashkëta globale. Sipas tij zbatimi i suksesshëm i Agjendës 2030-të do t’i hap rrugë Kosovës për t’u bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimit Evropian (BE).
“Kosova edhe pa qenë anëtare e Kombeve e Bashkuara është nënshkrues e Agjendës 2030. Ka dhënë zotimin për të kontribuar në përpjekje të përbashkëta globale, për zhvillimi të qëndrueshëm. Duke qenë se kjo agjendë është komplementare në atë agjendën evropiane, zbatimi i suksesshëm i saj jam i bindur që na ofron në dy mekanizmat të rëndësishme, ku një ditë edhe ne synojmë të jemi pjesë e tyre, edhe e Kombeve të Bashkuara edhe e Bashkimit Evropian” ,ka thënë Konjufca, raporton “KP”.
Po ashtu, Konjufca ka thënë se plani zhvillimor i Agjendës 2030-të përfshin të gjithë sektorët që kërkojnë ndihmë institucionale shtetërore. Ai ka thënë se institucionet janë të gatshme për hartimin e kësaj agjende dhe së është një mundësi e mirë për të dëshmuar aftësitë që ka Kosova.
“Në këndvështrimin tim, Agjenda 2030-të, duke qenë se është e ndërtuar në formën e një plani zhvillimor për të gjithë sektorët që kërkojnë ndërhyje institucionale e ndihmon Kosovën shumë për të projektuar edhe më të sigurt të ardhmen e vet. Prandaj, ne kemi bërë hapa tutje në këtë drejtim. Institucionet tona janë përgjigjur ftesës së Kombeve të Bashkuara për të hartuar një agjendë transformuese dhe të matshme, e cila ndihmon zbatimin e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm me hapa të përshpejtuar. Për Kosovën kjo agjendë duhet të shihet si një mundësi për të dëshmuar aftësitë që i ka Kosova për tu bërë pjesë e iniciativave globale, si kjo që është shumë me rëndësi, agjenda 2030, si dhe për të marrë rol kontribuues drejtpërdrejt në çështje globale si kjo, si mundësi e vendit, shtetit tonë për integrim edhe më të madh në arenën ndërkombëtare së bashku me të gjitha shtetet e botës” ka thënë Konjufca.
Qëllimi i konferencës për Agjendën transformuese të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm është të forcojë konsensusin në Kosovë rreth Agjendës transformuese të OZhQ-ve dhe të ofrojë një platformë për diskutim interaktiv ndërmjet institucioneve dhe palëve tjera me interes për të formësuar fushat prioritare të Agjendës transformuese të Kosovës.