Konjufca: Kosova, histori suksesi e NATO-s
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pasi Kosova ka marrë statutin e anëtarit të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, duke thënë se ky është një vendim i “shkëlqyer”.
Konjufca ka thënë se Kosova është një histori suksesi e NATO-s.
“Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destin i Kosovës. Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.
Postimi i plotë i Konjufcës:
Vendim i shkëlqyer i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që Kuvendit të Republikës së Kosovës i jep statusin e anëtarit të asocuar në AP të NATO-s.
Urime të gjithë qytetarëve tanë dhe mirënjohje të gjithë anëtarëve të AP të NATO-s, që me votën e tyre e jetësuan këtë arritje shumë të rëndësishme!
Një falënderim i veçantë shkon edhe për Delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës në AP të NATO-s! Përpjekja dhe angazhimi maksimal i këtij delegacioni u finalizua me këtë sukses të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë në tërësi.
Republika e Kosovës është një histori suksesi e NATO-s, e interesave dhe qëllimeve të tij, ndërsa NATO është destin i Kosovës. Hapat në këtë frymë na gëzojnë dhe na e shtojnë më tej përgjegjësinë dhe përkushtimin në drejtim të paqes dhe stabilitetit, vlerave dhe synimeve të përbashkëta.