Konjufca: Kosova s’duhet të ndalet së kërkuari drejtësi për gjenocidin e kryer nga Serbia
Me rastin e 22-vjetorit të masakrës së Lybeniqit, ushtruesi i detyrës së presidentit dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë homazhe në këtë fshat.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk duhet të ndalen deri sa të vihet në vend drejtësia për krimet dhe masakrat që ka kryer regjimi serb në Kosovë.
“Jemi këtu për t’i nderuar e kujtuara martiret e Lybeniqit. Ky fshatë gjatë luftës ka përjetuar tri masakra. Këtu janë mbi 80 persona civilë të paarmatosur të vrarë mizorisht nga forcat e Serbisë. E jona është që të mos ndalemi kurrë si institucionet të Kosovës që të kërkojmë drejtësi, që gjenocidi serbë të dënohet dhe kriminelët të mos enden të lirë siç ndodh në shumë qytete të Serbisë”, ka thënë Konjufca.
Ai ka theksuar se deri më tash nuk është bërë asgjë për dënimin e atyre që kanë kryer masakra në Kosovë. “Asgjë nuk është bërë në aspektin e drejtësisë. Kjo tregon për historinë e gjenocidit që ka ndodhur nga regjimi i Serbisë ndaj popullatës së Kosovës. Plagët janë të hapura ende, sepse ka ende të zhdukur dhe ky është një krim i dyfishtë i Serbisë”, është shprehur Konjufca i cili ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Kuvendit, Saranda Bogujevci.