Konjufca kritikon ashpër koalicionin qeverisës
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se nga koha kur koalicioni PDK-AAK-Nisma ka nisur qeverisjen e vendit, asnjë qytetarë nuk ka shpresë se do bëhet më mirë.
Konjufca gjatë seancës së sotme parlamentare, ka thënë se ky koalicion nuk ka interesa shtetërore për mbrojtjen e të drejtave njerëzore.
“Milionat që mblidhen nga taksat e qytetarëve po shkojnë për hesape të profitit personal. Varfëria dhe papunësia e kanë pllakosur Kosovën. Këtë vit ka më pak banorë, jo për shkak të natalitet, por për shkak se jeta më e mirë po kërkohet çdo kund tjetër përpos në atdheun tonë. Ata që po marrin vendime nuk e kanë gjetur çelësin e zhvillimit ekonomik, drejtësia është mbyllur në gushtin e regjimit”, ka deklaruar Konjufca.
Më tutje, ai ka thënë se ata që janë duke e përmendur Adem Jasharin e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje.
“Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë konkrete që presidenti ta braktis projektin e korrigjimit të kufijve. E kemi parë një përpjekje të vazhdueshme të ekzekutivit për t’ia zgjeruar delegacionin Hashim Thaçit. Nga kjo krizë nuk mund të dalim përpos nëse edhe një herë ia ofrojmë sovranit shanset për ndryshim”, është shprehur Konjufca.