Konjufca: Kuvendi ka rol kyç për adresimin e dhunës në baza gjinore

09 dhjetor 2024 | 19:40

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, mbajti sot konferencën me temën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, organizuar në kuadër të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje, Kundër Dhunës Ndaj Grave dhe Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Në cilësinë e nikoqirit të konferencës kryetari Glauk Konjufca shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për çdo grua të angazhuar në sferën publike, që siç tha ai, çdo ditë kontribuon për t’i mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave në Republikën e Kosovës.

Kryetari Konjufca tha se dhuna në bazë gjinore mbetet sfidë e madhe për shoqërinë dhe që përkundër përpjekjeve për ta luftuar atë, nuk po reflekton në rënien e rasteve të dhunës në familje dhe në veçanti në dhunën ndaj grave e vajzave.

“Jemi dëshmitarë që rastet e dhunës ndaj grave në vitet e fundit janë rritur, ashtu siç është rritur ndjeshëm edhe raportimi i rasteve të tilla nëpër institucionet e sigurisë e të ligjit. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që çdo grua dhe vajzë e cila përjeton dhunë të çfarëdo forme, ta denoncojë atë dhe të kërkojë ndihmën e institucioneve”, tha kryetari Konjufca.

Kryetari Konjufca tha se Kuvendi padyshim që e ka një rol kyç për adresimin e këtij fenomeni, duke përmendur miratimin e shumë ligjeve të rëndësishme që mbrojnë gratë nga dhuna me bazë gjinore.

“Gjatë kësaj legjislature ne kemi miratuar edhe ligje shumë të rëndësishme që synojnë t’i mbrojnë të drejtat e grave dhe sigurinë e tyre, përfshirë këtu edhe nismën ligjore të Kuvendit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, e cila vendos në fokus të veçantë trajtimin ndërinstitucional për të siguruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat”, theksoi kreu i Kuvendit, duke shtuar se krahas rolit ligjvënës, Kuvendi do të vazhdojë të ushtrojë edhe funksionin e vet mbikëqyrës sa i përket punës së institucioneve qeveritare në këtë drejtim.

Konjufca përmendi gjithashtu edhe nënshkrimin nga ana e deputetëve të Deklaratës kundër dhunës ndaj grave në politikë, nën inicimin e Grupit të Grave Deputete.

“I bashkohem thirrjes për mbështetje të të gjitha grave dhe vajzave në betejën e përçdoditshme kundër çdo forme të dhunës dhe angazhohem për një përkushtim të plotë institucional në këtë luftë të përbashkët kundër dhunës ndaj grave, si dhe krijimin e një mjedisi shoqëror pa dhunë dhe pa diskriminim gjinor”, tha në fjalën e tij kryetari Konjufca.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kjo konferencë është një mundësi për të ndryshuar gjendjen dhe për të përçuar mesazh se dhuna në familje nuk është çështje private, por ajo duhet të adresohet në institucionet e Republikës së Kosovës, është vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burg.

Sipas Haxhiut kjo çështje nuk është vetëm një sfidë sociale morale, por edhe detyrim ligjor e institucional dhe siç tha ministrja e Drejtësisë, legjislativi e ka një rol vendimtar në këtë drejtim.

“Legjislativi ka një rol vendimtar në krijimin e kornizës ligjore që jo vetëm sanksionon dhunën, por edhe fuqizon mekanizmat për parandalimin e saj, ndërsa Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ka bërë hapa të rëndësishëm përmes hartimit të ligjeve specifike dhe marrjen e një sërë masash që trajton dhunën ndaj grave dhe barazinë gjinore”, tha Haxhiu.

Me këtë rast ajo përmendi disa nga hapat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë për të parandaluar dhunën në bazë gjinore, përderisa shtoi se përveç masave të ndërmarra, shoqëria jonë duhet të edukojë brezat e rinj mbi parimin e barazisë gjinore, respektit dhe solidaritetit.

Në panelin me temë “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, nën moderimin e nënkryetares së Kuvendit, Saranda Bogujevci, për t’i dhënë inputet e tyre nga spektri politik e institucional dhe ai i shoqërisë civile, të ftuara ishin: Arjeta Fejza, deputete, nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Adelina Berisha, menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës, si dhe Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeminstrit.

Nënkryetarja Bogujevci duke falënderuar pjesëmarrëset e kësaj konference, përfaqësueset e nivelit lokal e qendror, aktiviste nga shoqëria civile e organizatat partnere, në hapje të këtij paneli u shpreh se trajtimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë ligjore është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për shkak se, siç tha ajo, dhuna, e me theks të veçantë dhuna me bazë gjinore, është fenomen i përhapur globalisht dhe pasojat e tij janë tejmase të rënda, për individët dhe shoqërinë si tërësi.

Duke falënderuar Ministrinë e Drejtësisë për të gjitha nismat legjislative, udhëzimet dhe aktet e tjera ligjore që ka nxjerrë për të mbrojtur gratë nga dhuna, e po kështu edhe fushatat sensibilizuese të vazhdueshme për raportim të cilësdo formë të dhunës, nënkryetarja Bogujevci theksoi se legjislativi luan një rol kyç në krijimin e kuadrit ligjor, miratimin e politikave dhe përcaktimin e masave konkrete për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe për të parandaluar dhunën në nivelin e familjes dhe shoqërisë. Ajo bëri të ditur se Kuvendi nga viti 2010 ka miratuar disa ligje që në detaje trajtojnë barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës në familje, duke përmendur po ashtu edhe adaptimin e Konventës së Stambollit në legjislacionin e Kosovës.

Duke e marrë fjalën në cilësi të panelistes, nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Arjeta Fezja, foli lidhur me hartimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore. Duke iu referuar ligjit në fjalë, ajo tha se që nga draftimi i këtij ligji e deri tek miratimi i tij janë mbajtur dhe zhvilluar takime të njëpasnjëshme me Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë mekanizmat e tjerë shtetërorë, pa përjashtuar këtu organizatat e shoqërisë civile.

Duke trajtuar disa prej neneve të këtij ligji, deputetja Fejza tha se e veçanta e tij, krahasuar me ligjet paraprake, është se ky ligj ka bërë definimin e saktë të kompetencave dhe përgjegjësive të pothuajse secilit institucion dhe hallke tjetër institucionale sa i përket parandalimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.

Në anën tjetër, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, tha se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe për rrjedhojë, pa të drejta të grave, të drejtat e njeriut janë gjysmake.

Gusia gjatë fjalës së saj preku disa nga të arriturat që janë bërë në infrastrukturën ligjore përgjatë viteve në Kosovë sa i përket parandalimit dhe raportimit të dhunës në familje dhe dhunës me bazë ligjore, duke potencuar po ashtu edhe ngritjen e kapaciteteve, por sipas saj duhet filluar vlerësimi i secilës hallë që trajton dhunën në familja.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se pothuajse të gjitha arritjet sa i përket legjislacionit për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna, i atribuohen bashkëpunimit të shoqërisë civile dhe institucioneve gjegjëse.
Përkundër faktit që OSHC-të dhe institucionet publike jo çdo herë ndajnë qëndrime të njëjta, ajo tha se çështjet si parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna në familja kanë kaluar përtej atyre mospajtimeve. Ajo bëri thirrje për fokus në edukimin e hershëm, krahas fushatave sensibilizuese.

Gjatë këtij diskutimi nënkryetarja Bogujevci parashtroi pyetje me interes jetik sa i përket parandalimit dhe mbrojtjes nga dhuna. Duke u thirrur në Konventën e Stambollit dhe katër parimet bazë të saj, nënkryetarja Bogujevci së bashku me panelistet diskutuan edhe për integrimin e plotë të kësaj konvente në legjislacionin tonë, meqë e njëjta veçse është adaptuar.

Krahas kësaj, panelistet theksuan se dhuna dhe dhuna me bazë gjinore nuk është fenomen kombëtar, por global.

Panelistet u përgjigjen edhe pyetjeve të shtruara nga audienca, e në përgjigje e sipër dhanë dhe disa rekomandime, si: edukimi i hershëm sa i përket rëndësisë së parandalimit dhe raportimit të dhunës, fushata sensibilizuese, informim dhe edukim qytetar nëpërmjet institucioneve shkollore dhe mediave se asnjë lloj i dhunës nuk duhet të tolerohet, zhvillim i hulumtimeve për të parë nga afër se si e perceptojnë qytetarët dhunën dhe sa janë të njoftuar me mekanizmat që e luftojnë atë.

Duke falënderuar panelistet, gratë pjesëmarrëse dhe të gjithë të pranishmit e tjerë, nënkryetarja Bogujevci theksoi se Kuvendi mirëpret çdo nismë që ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë…