Konjufca: Lidhja e Prizrenit paraqet kulmin politik të rilindjes kombëtare

10 qershor 2021 | 16:37

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku dhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kanë bërë homazhe te shtatorja e prijësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për nder të përvjetorit të 143-të të kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë kombëtare.

Konjufca në fjalimin e tij për nder të kësaj dite, ka thënë se 10 qershori është datë shumë e rëndësishme për gjithë kombin shqiptar, sepse, siç tha ai, kjo datë konsiderohet pikënisje e gur-kilometrikut të historiografisë së shqiptarëve, e cila është shkruar fuqishëm brenda vetëdijes tonë kombëtare, kolektive dhe identitare.

Ai ka thënë se Lidhja e Prizrenit paraqet kulmin politik të rilindjes kombëtare që kontribuoi në mbrojtjen e tokave shqiptare.

“Pas luftërave të lavdishme të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, kjo është ngjarja më e rëndësishme e cila vjen në shekullin XIX. Kurse në shekullin XX, ngjarjet më të rëndësishme për kombin tonë janë në fillim të atij shekulli, që është shpallja e Pavarësisë të Shqipërisë, dhe ky shekull përmbyllet me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e Kosovës prej Serbisë. Siç dihet, ngjarja më e rëndësishme e shekullit XXI është shpallja e Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtuan edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Manifestimi vazhdoi me vizitën e kryetarit Konjufca në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke e përmbyllur atë me pjesëmarrjen e tij në ekspozitën e prof. dr. Ukë Xhema, me prezantimin e fotografive të përzgjedhura për këtë ditë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të…