Konjufca liron nga detyra edhe 35 diplomatë

03 prill 2020 | 09:25

Ditë më parë, para se të votohet mocioni i mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka shfuqizuar vendimin për 14 konsuj dhe ka propozuar tërheqjen nga misioni të shtatë ambasadorëve. Këtë praktikë Glauk Konjufca po e vazhdon edhe tash që është ministër në detyrë. Ai rishtas ka marrë vendim që t’i zhveshë nga detyra edhe 35 diplomatë të tjerë të Kosovës.

Këto vendime i ka konfirmuar këshilltari i tij, Kreshnik Ahmeti, i cili ka treguar se këto lirime po bëhen në kuadër të procesit të rotacionit që parashihet me ligjet përkatëse.

“Ministri Konjufca ka marrë vendim për kthimin apo lirimin e rreth 35 diplomatëve. Siç parashihet edhe me ligj, diplomatët e karrierës kthehen në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për ta vazhduar angazhimin e tyre, ndërsa diplomatët politikë lirohen nga detyra”, është shprehur Ahmeti për Klan Kosova. “Arsyeja e kthimit të tyre është përfundimi i mandatit”, ka thënë ai.

Ahmeti ka deklaruar se pjesa më e madhe e këtyre diplomatëve kanë përfaqësuar Kosovën si duhet në kohën e ushtrimit të funksionit të tyre. “Kthimi i diplomatëve nuk ka të bëjë me performancën e tyre. Më duhet të them se pjesa dërrmuese e diplomatëve kanë pasur performancë të mirë përgjatë mandatit të tyre në misionet ku kanë qenë. Kthimi i tyre ka të bëjë vetëm me skadimin e mandatit dhe respektimin e bazës ligjore”, ka deklaruar Ahmeti.

Deri tash është kuptuar se diplomatët që lirohen nga detyra janë: Konsullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, Rron Kryeziu – konsull në SHBA (i biri i ministres në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi) dhe Fatmire Musliu, pjesë e shërbimit diplomatik në Gjermani (motra e deputetes së Kuvendit të Kosovës nga PDK, Ganimete Musliu).

Këshilltari i Konjufcës, ndër të 35-ët ka me grada të ndryshme diplomatike për të cilët është propozuar lirimi nga detyra, nuk ka përmendur emrat e përveçëm të asnjërit prej tyre.

“Me keqardhje më duhet të them se nuk mund të jap informacion më të detajuar në lidhje me diplomatët tanë. Praktikat e mira nuk rekomandojnë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Ministria e Jashtme e Kosovës për t’i zëvendësuar këta 35 përfaqësues të Republikës së Kosovës në botën e jashtme ka hapur konkursin ditë më parë për ngritje në karrierë.

“Paralelisht me kthimin e diplomatëve ne kemi hapur edhe konkursin e brendshëm për t’i zgjedhur diplomatët e tjerë të cilët do të shkojnë në këto pozicione të misioneve të jashtme. Më duhet të theksoj se një konkurs i tillë po realizohet për herë të parë në historinë e MPJ-së.

Pra, tash e tutje nuk do të ketë vendime arbitrare në tavolinën e ministrit se cili diplomat në cilin mision do të shkojë. Por, do të ketë procedura të rregullta profesionale, siç ndodhë edhe në vendet e përparuara”, ka thënë ai.

Në fillimmarsin e këtij viti Konjufca i kishte propozuar presidentit Hashim Thaçi që të tërheqë nga misioni diplomatik, ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku si dhe gjashtë diplomatë të tjerë: Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

Paraprakisht Konjufca kishte tërhequr vendimin për emërimin e 14 konsujve, nënshkruar nga paraardhësi i tij në krye të diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Japonia kufizoi testet për koronavirusin, me argumentin se autoritetet shëndetësore do e…