Konjufca mbështet hartimin e rregullores së re të Kuvendit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë të enjten në punëtorinë për shqyrtimin e draft-rregullores së Kuvendit të Kosovës, të organizuar nga grupi punues.
Në fjalën e tij të rastit, kryekuvendari Konjufca i dha mbështetje të plotë hartimit të rregullores së re, duke theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të këtij procesi.
Kreu i legjislativit ka theksuar rëndësinë që rregullorja e re të plotësojë kërkesat e Kuvendit dhe në këtë mënyrë të lehtësojë funksionimin e punës brenda institucionit.
Rregullorja e Kuvendit përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, organeve të tij drejtuese dhe trupave të tij të punës, në ushtrimin e funksionit ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues.
Po ashtu Rregullorja përcakton edhe rregullat për organizimin dhe funksionimin e Administratës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.