Konjufca nderon të rënët në Dyz dhe Ribar të Vogël
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, bëri homazhe dhe vendosi lule në kompleksin memorial në fshatin Dyz të Podujevës, si dhe në fshatin Ribar i Vogël të Lipjanit.
Kryetari Konjufca po ashtu mori pjesë në tubimin përkujtimor, në shënim të 23-vjetorit të masakrës në fshatin Dyz, gjatë të cilës u vranë e u masakruan rreth 70 civilë shqiptarë, si dhe qindra të vrarëve të tjerë në shumë fshatra të Llapit e të Gollakut.
Në fjalimin e mbajtur në kujtim të të rënëve, kryetari Konjufca tha se për këto masakra dhe vrasjen e mbi 12 mijë shqiptarëve të Kosovës, përgjegjësi kryesor është shumë i qartë: shteti i Serbisë, me ushtri, me polici, me aparat shtetëror dhe me paramalitarët që i ka kontrolluar dhe urdhëruar për të gjitha këto krime, në mbi 300 masakra të kryera anekënd Kosovës.
Konjufca tha se historikisht populli shqiptar ka përjetuar gjenocide nga Serbia.
“Krimi i parë ishte vrasja e vëllezërve dhe motrave tona, duke mos i kursyer as fëmijët. Krimi i dytë ishte pas vrasjes: marrja dhe fshehja nëpër Serbi edhe sot e kësaj dite. Krimi i tretë është që deri më tani nuk ka pasur drejtësi për asnjë nga këto që kanë ndodhur, dhe krimi i katërt është se Serbia ende nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me Kosovën”, tha Konjufca.
Kreu i Kuvendit shtoi se Serbia po i bën homazhe ish-udhëhëqësit të vet, që la pas vetes qindra-mijëra të vrarë.
“Ne po u bëjmë homazhe të rënëve që kanë derdhur gjakun për liri, ndërsa Serbia po i bën homazhe kasapit të vet që i la të vdekur mbi 160 mijë qytetarë të popujve të ndryshëm, shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë”, tha kryetari i Kuvendit, duke shtuar se Kosova çdo herë do t’i nderojë dhe kujtojë të rënët për liri.