Konjufca në Maqedoni, takon Pendarovskin dhe Xhaferin

12 dhjetor 2022 | 14:26

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca, është duke qëndruar për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Konjufca është pritur nga presidenti i këtij shteti, Stevo Pendarovski dhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

“Gjatë takimeve të ngrohta e tejet miqësore shkëmbyem mendime për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian të shteteve tona. Në diskutimet përmbajtësore mbizotëroi fryma e pajtimit të plotë rreth interesave të përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka bërë me dije se gjithashtu në këto takime u vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet e deritashme dhe u ritheksua gatishmëria për kultivimin e mëtutjeshëm të raporteve mes dy vendeve, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërparlamentar, duke konsideruar se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.

“Me presidentin Pendarovski dhe kryetarin Xhaferi ndamë pikëpamje të njëjta se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe në NATO, meqë një hap i tillë nuk do të linte hapësira destabilizimi në rajonin tonë”, ka thënë Konjufca pas takimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Holanda dëshiron qasje më të rreptë ndaj Serbisë për shkak…