Konjufca: Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive do të ketë marrëveshje konkrete
Ministri i Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim homologun e tij shqiptar, Gent Cakaj.
Pas takimit, në një konferencë për medie, Konjufca ka thënë se raportet me Shqipërinë janë vëllazërore, dhe se sipas tij dy vendet kanë më shumë obligime ndaj njëra tjetrës, se sa obligime.
“Raportet janë vëllazërore, kështu që ne kemi obligime më shumë ndaj njëri tjetrit se sa falënderime. Konsideroj që është bërë një punë shumë e madhe, mirëpo hapësira për t’i thelluar raportet tona është gjithmonë e hapur. Marrëveshjet që janë arritur deri tash do të përpiqemi që t’i zbatojmë, sepse ka prej atyre që nuk janë zbatuar deri tash”, ka thënë Konjufca.
Më tutje, Konjufca ka folur edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive e cila do të mbahet në Shkodër.
“Mbledhja e Qeverive e përbashkët që do të ndodhë në Shkodër. Ne do të jemi në koordinim maksimal me ministritë tonë, sepse do bëjmë gjithçka që është e mundur që të ketë marrëveshje konkrete që më pas t’i konkretizojmë. Raportet tona ekonomike e tregtare duhet të përmirësohen. Prej që është vendosur taksa, shkëmbimet sa i përket Shqipërisë drejt Kosovës janë rritur 300 për qind, por kjo nuk ka ndodhur edhe anasjelltas, dhe kjo duhet të përmirësohet dhe duhet ta rregullojmë”, ka thënë ai.