Konjufca në Strasburg, takon delegacione të shteteve anëtare të APKE-së

26 janar 2023 | 19:57

Edhe sot, në ditën e tretë të vizitës zyrtare në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar takime me disa delegacione të shteteve anëtare në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, grupe politike dhe udhëheqës të komiteteve.

Ai ka takuar kryesuesin e delegacionit francez në APKE, Bertrand Bouyx, kryesuesin e delegacionit turk, Ahmet Yildiz, z/vudhëheqësen e Grupit Socialist, Demokrat dhe të Gjelbërit, Selin Sayek Böke, kryesuesen e Komitetit për Barazi dhe mosdiskriminim, Mariia Mezentseva, si dhe kryesuesin e Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, Damien Cottier.

“Biseduam për procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Bashkëbiseduesit i njoftova me të arriturat e Republikës së Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare. Po ashtu shkëmbyem pikëpamje për tema të tjera me interes dhe për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë”, ka bërë me dije Konjufca.

Ai i ka falënderuar për mbështetjen që i kanë dhënë Republikës së Kosovës ndër vite dhe për ndërmarrjen e hapave që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

“Në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Republika e Kosovës mori vëmendje të posaçme dhe mbështetje të theksuar nga eurodeputetët për anëtarësim. Republika e Kosovës është e përcaktuar dhe po punon me përkushtim për t’u integruar në familjen e madhe evropiane”, ka deklaruar Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara në çështjen gjyqësore Hysni Gucati dhe Nasim…