Konjufca në takim me Szunyogun: Harmonizimi i ligjeve me BE-në gjithnjë në fokus
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltarët, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) ë në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në takim është biseduar për bashkëpunimin në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të perspektivës evropiane të vendit tonë.
Kryetari Konjufca dhe ambasadori Szunyog janë pajtuar për rëndësinë e përkushtimit ndaj stabilitetit rajonal, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, në kuadër të ecjes në drejtim të aspiratave eurointegruese të Republikës së Kosovës.
Konjufca është shprehur se angazhimi parlamentar sa i përket miratimit të ligjeve dhe harmonizimi i tyre me BE-në është gjithnjë në fokus, duke përmendur gatishmërinë institucionale për konsultime sa më të shpeshta për rezultate sa më të mira.
Ndërsa ambasadori Tomas Szunyog, e ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e mëtutjeshme për bashkëpunim të gjithanshëm, sipas nevojave të përmbushjes së synimeve të përbashkëta.