Konjufca në Tiranë: Lufta e UÇK-së duhet të mbrohet

07 qershor 2021 | 11:55

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Kojufca po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ai fillimisht është takuar me kryeparlamentarin e Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ku pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.

Konjufca ka thënë se Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën.

Ai ka theksuar se politika jonë duhet të funksionojë sipas premisës se jemi një komb.

“Shqipëria ka dhënë kontribut të çmuar për Kosovën. Prandaj, në shtetin tonë ka një traditë në Kosovë, që vizitën e parë zyrtare e bëjmë në Shqipëri. Ne kemi interesa të përbashkëta sepse jemi një komb. Politika jonë duhet të funksionojë sipas premisës se jemi një komb. Sfidat tona janë të përbashkëta. Falënderoj Shqipërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar për ndihmën nga koronavirusi”, ka thënë Konjufca gjatë një konference për media pas takimit me Ruçin.

Konjufca ka thënë se bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri duhet të thellohet edhe më shumë.

Ai ka vlerësuar se Kosova nuk duhet që të dëmtohet nga dialogu me Serbinë, ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim me Shqipërinë, që të mbrohet lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Duhet të thellojmë bashkëpunimin në ekonomi dhe në fusha të tjera. Të thellojmë bashkëpunimin, sepse jemi dy shtete, që kanë të përbashkët faktin se jemi një komb. Kosova të mos dëmtohet nga dialogu me Serbinë. Ne na duhet koordinimi me Shqipërinë, ne po përballemi edhe me proces të vështirë me Specialen, teksa ish-krerë të UÇK-së po gjykohen në Hagë. Të bashkërendojmë veprimet tona. Lufta jonë ishte e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e ka qenë dhe e gjithë kombit shqiptar. Prandaj, lufta e UÇK-së duhet të mbrohet. Ju ftoj zyrtarisht që të vizitoni shtetin e Kosovës”, është shprehur Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar raportin e shpenzimeve…