Konjufca: Nëse ndërkombëtarët mendojnë se veç Kosova i ka fajet, situata në veri s’kryhet kurrë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka folur për mundësinë e zgjedhjeve në veri, duke thënë se duhet të ketë një rrugë ligjore si të shkohet deri te to.
Ai tha se kryetarët e katër komunave në veri se kanë vullnetin për të dhënë dorëheqje dhe sipas tij, e vetmja rrugë është grumbullimi i nënshkrimeve.
“E vetmja rrugë si e sheh KQZ-ja dhe ligji i zgjedhjeve është me i grumbullu nënshkrimet për shkarkimin e tyre, të cilët duhet grumbulluar prej komunitetit që jetojnë aty dhe pastaj shkohet në zgjedhje. Kryeministri, BE-ja por edhe Serbia është pajtuar me këtë”, tha Konjufca për T7.
Tutje, ai tha se situata nuk do të përfundojë kurrë “nëse bashkësia ndërkombëtare mendon se vetëm Kosova i ka fajet dhe përgjegjësitë për këtë situatë”.
“Por, unë mendoj se duhet ta bindim bashkësinë ndërkombëtare dhe do ta fitojmë këtë betejë. Mendoj që kjo pas çlirimit të Kosovës, është beteja më e rëndësishme për karakterin e shtetit tonë sepse shteti i Kosovës duhet të jetë Republikë e bashkuar, ndërsa tjetrin opsion s’mund ta imagjinojë sepse është shumë i keq”, tha Konjufca.