Konjufca: Nëse nuk flitet për zgjedhje, s’ka arsye të mbahen tryezat
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka arsye të mbahen tryezat e partive politike nëse në to nuk flitet për zgjedhje të reja.
Ai ka thënë se në tryezën e Lëvizjes Vetëvendosje do të flitet enkas për zgjedhje të parakohshme.
“Tryeza megjithatë duhet ta ketë një epilog dhe nuk mund ta zvarrisim përgjithmonë. Atëherë pas kësaj tryeze të Vetëvendosje, nëse kemi pozicionime të njëjta dhe nëse tryezat janë joproduktive, unë konsideroj që nuk ka më arsye që të mbahen. Humb kuptimi i tyre. Nëse ata nuk dëshirojnë të flasin për zgjedhje, atëherë beteja për zgjedhje do të bartet në Kuvendin e Kosovës, aty ku e ka vendin. Kështu që, beteja e vërtetë për ta çuar vendin në zgjedhje, është në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo ne nëse veç e vërtetojmë që këto tryeza nuk janë më produktive, atëherë nuk do të marrim pjesë as vet në të ardhmen”
“Me këtë ide ia kanë nisur tryezat. Ideja kanë qenë zgjedhjet. Mos të kishte qenë zgjedhjet ideja, e thirrur nga tryeza e LDK-së, Vetëvendosje nuk do të kishte marrë pjesë fare. Por ne pikërisht pse kanë qenë zgjedhjet kemi marrë pjesë. Në tryezën e dytë është devijuar tema nga PDK-ja. Vetëvendosje po e organizon tryezën e tretë dhe dëshiron t’ia rikthejë temën kryesore tryezës, që janë zgjedhjet. Kush nuk do për të marrë pjesë, mos të merr pjesë është puna e tyre”, ka thënë Konjufca për “Kosovapress”.