Konjufca ngushëllon familjen e Fahri Beqirit

19 maj 2021 | 13:02

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami, ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit, mjeshtrit dhe kompozitorit të shquar shqiptar, Fahri Beqiri.

Konjufca ka vlerësuar se Fahri Beqiri do të mbetet i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik dhe artistik.

 

Telegrami i Konjufcës:

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit, mjeshtri të shquar dhe kompozitorit të madh shqiptar, Fahri Beqiri.

Profesor Fahriu, gjatë punës së tij gjysmëshekullore akademike, krijuese e artistike, edukoi breza të tërë studentësh dhe u shqua si autor i veprave të shumta monumentale muzikore, përfshirë edhe simfoninë antologjike “Skënderbeu”.

Në letërnjoftimin artistik të profesor Fahriut, ndër të tjera, hyn edhe kontributi i tij i çmuar në ansamblet “Shota”, “Ramiz Sadiku” e “Kastriotët” dhe themelimi i festivaleve të njohura “Akordet e Kosovës” e “Kosovarja Këndon”.

Profesor Fahriu nuk do të jetë më i pranishëm fizikisht, por do të mbetet i paharruar në mesin tonë me shpirtin e tij të madh fisnik e artistik dhe me trashëgiminë e pashterur artistike që ka lënë pas.

Po ashtu personaliteti dhe vepra kolosale e profesor Fahriut do të mbeten një monument i çmuar dhe trashëgimi vlerash të spikatura kombëtare për ne dhe për brezat e ardhshëm.

Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetin artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! – thuhet në telegramin e kryekuvendarit Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratikë të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti ka…