Konjufca ngushëllon kryetarin në detyrë të Senatit çek për vdekjen e kryesenatorit Kubera
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami, ka ngushëlluar kryetarin në detyrë të Senatit të Parlamentit të Republikës së Çekisë, Jiri Ruzhiçka, për vdekjen e kryetarit të deritashëm të Senatit, Jaroslav Kubera.
“Shkëlqesia Juaj, më dhimbje të thellë mësuam lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të ish-kryetarit të Senatit dhe mikut tonë, Shkëlqesisë së Tij, z. Jaroslav Kubera. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ju, popullin tuaj dhe familjen Kubera. Z. Kubera udhëhiqte dhe frymëzonte me mençuri dhe kompetencë në Senatin e Republikës”.
“Ai do të mbetet një figurë e nderuar në mesin e miqve dhe kolegëve për kontributin e tij të çmuar që solli në skenën politike të Republikës së Çekisë dhe në Bashkimin Evropian. Lutjet tona shkojnë së bashku me popullin e Republikës së Çekisë dhe familjen Kubera. Ju lutem, pranoni konsideratën time më të lartë për Ju dhe për vendin tuaj”, është thënë në telegram ngushëllimin e kryeparlamentarit Konjufca.
/Epoka e re/