Konjufca nis vizitën zyrtare në Estoni
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nisur vizitën zyrtare në Estoni.
“Vizitën time zyrtare në Estoni e nisa më së miri duke takuar homologun tim estonez, z. Lauri Hussar, kryetarin e Riigikogu-t, Kuvendit të Republikës së Estonisë. Fillimi i takimeve politike në një vend me të cilin ndajmë partneritetin strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, me të cilin na lidh bashkëpunimi i vazhdueshëm, vlerat dhe aspiratat e demokracisë, më dha kënaqësi të veçantë, e që u rrit edhe më shumë nga pritja e ngrohtë miqësore e z. Hussar, të cilin e falënderova për këtë. E po ashtu, i tregova mirënjohjen tonë për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Z. Hussar më konfirmoi se mbështetja e shtetit estonez do të vazhdojë, e së bashku u pajtuam për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve tona, përmes shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.
Konjufca ka theksuar se me Lauri Hussar biseduan edhe për situatën politike për të dy vendet, duke theksuar se përveç interesave ndajnë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit.
“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, ka thënë Konjufca.