Konjufca nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca nuk ka përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Konjufca në “Debat Plus” thotë se qeveria mund të mos e përfundojë mandatin 4-vjeçar.
“Secili pushtet i nënshtrohet një principi të njëjtë. Principi universal është që ke mu sprovu dhe aty do të përfundon. Mundohesh maksimalisht me qenë në përputhje me atë që ke shpjegu më herët, e kur të vijnë mundësitë mundohu me punua në mënyrë më të drejtë dhe pa hile e pa korrupsion, në fund bëhen katër vite. Munden mos me shkue katër vite. Populli të gjykon dhe ta jep vendin”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pyetur nëse kjo nënkupton se do të ketë zgjedhje të reja Konjufca është përgjigjur:
“Qeveria ndonjëherë edhe vet shkakton zgjedhje. Kjo ndodh në vendet demokratike. Kosova është lodhë nga zgjedhjet. Por në vendet demokratike për pak gjëra shkohet në zgjedhje”, deklaroi tutje Konjufca.