Konjufca nuk shprehet optimist për një marrëveshje të shpejt Kosovë-Serbi

24 tetor 2022 | 15:30

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson që do të arrihet një marrëveshje për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se nuk beson në arritjen e një marrëveshje pasi që qasja e shtetit serb është në ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë.

Duke folur në Forumin “Gjeopolitika e re pas agresionit rus në Ukrainë: Implikimet për Ballkanin Perëndimor”, Konjufca ka deklaruar se ai personalisht nuk është optimist.

“Nuk jam optimist në arritje të një marrëveshje të shpejtë me Serbinë”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës do t’i shërbente arritja e një marrëveshje mes dy palëve, e që Serbia të njihte Kosovën.

“Sepse besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”, ka thënë Konjufca.

Bindjet përse Konjufca s’ka shpresë për një marrëveshje, atij i janë forcuar edhe më shumë kur e ka parë përbërjen e re të kabinetit qeveritar në Serbi dhe pozicionimin e politikanëve pro-rus si Aleksandër Vulin.

“E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë”.

“Vulini për shembull që tani udhëheqë me inteligjencën, pastaj Ivica Daçiqi që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme dhe vetë Vuçiqi tashmë”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se Serbia tashmë ka treguar se çfarë rruge dëshiron ta ndjekë.

Deklarimet e Konjufcës, vijnë në një kohë kur liderët në Kosovë dhe ata në Serbi janë prezantuar me një propozim ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit mes dy shteteve dhe normalizimin e raporteve.

Pjesë e Forumit është edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e cila në fjalën e saj ka deklaruar se megjithëse ajo është kritike e madhe e Vuçiqit, “nuk do të ngutesha e ta krahasoja atë me Putinin”.

“Ai ka interesa të tjera, e vërtetë, me të cilat totalisht nuk pajtona, por gjithashtu është për një bashkëpunim dhe e di se zgjidhja vjen përmes dialogut”, ka thënë Cramoni, duke iu referuar deklarimit paraprak të Konjufcës.

“Prandaj nuk do të ngutesha me atë konstatim dhe t’i bëja të dy të njëjtë”, është shprehur ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas dorëheqjes së Liz Truss, Rishi Sunak ka rritur të…