Konjufca: Pa barazi gjinore nuk ka barazi njerëzore
“Jam shumë i gëzuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës është nikoqir i seminarit të Rrjetit të Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë. Qysh në fillim po ju dëshiroj mirëseradhje dhe punë të mbarë. Republika e Kosovës mburret me praninë e saj në Asamblenë e Frankofonisë. Dashuria për kulturën franceze dhe gjuhën frënge ka qenë dhe do të mbetet e madhe në mesin e shoqërisë dhe të popullit tonë”, kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në seminarin “Promovimi i një parlamenti me ndjeshmëri gjinore”.
Konjufca ka thënë se i vjen mirë që Rrjeti i Grave të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, përmes këtij seminari po e vë në spikamë barazinë gjinore.
“Pa barazi gjinore nuk ka barazi njerëzore. Barazia njerëzore është abstrakte e bile edhe subversive nëse nuk e merr formën praktike e konkrete të barazisë gjinore. Aspekti bazik i qytetërimit është barazia e grave me burrat. Kosova po bën veprime të shumta e po merr masa të vazhdueshme për ta luftuar pabarazinë”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka shtuar se barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me Ministrinë e Brendshme dhe me Ministrinë e Drejtësisë.
“Ajo ka të bëjë me çdo aspekt të jetës sonë, prej çerdheve, ku i çojmë fëmijët tanë, e deri te sjellja publike në funksion të krijimit të mundësive të barabarta dhe të një mjedisi social pa diskriminim gjinor”, është shprehur ai.