Konjufca padit Molliqajn për shpifje
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka bërë me dije se e ka dorëzuar padinë në gjykatë, për shpifje kundër deputetit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj.
Konjufca ka thënë se shpifja është e patolerueshme dhe dënohet me ligjet e Kosovës.
“Erdha këtu para Pallatit të Drejtësisë dhe po drejtohem kah Gjykata Themelore. Jam këtu për ta paditur shpifësin Dardan Molliqaj, i cili ka thënë edhe në Kuvend të Kosovës, por sa për Kuvend të Kosovës ai e ka imunitetin nuk kisha pas çka me i bo, por sa i përket deklaratës së tij në njërin prej televizioneve tona publike se unë kam qenë punëtor i ShIK-ut dhe kam punuar për ShIK-un. E kam marrë deklaratën e tij me vete dhe do ta padisë në Gjykatën Themelore këtu në Pallatin e Drejtësisë. Është një shpifje e patolerueshme e cila dënohet me ligje të Kosovës. Ne kemi një legjislacion që e trajton këtë çështje. Ky ka qenë një mashtrim për të cilin ai duhet të jap llogari. Ai ka thënë publikisht që unë duhet ta demantoj, unë jo që po e demantoj por po e padis Dardan Molliqajn”, ka thënë Konjufca.