Konjufca paralajmëron vizitë në Hagë: S’mund të na përçajë askush, jemi si gishtat e një dore
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka paralajmëruar se do t’i vizitojë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Do ta bëjë shumë shpejt këtë gjë, do ta realizojë një vizitë atje”, tha Konjufca.
Konjufca nga Greqia ka thënë se është padrejtësi që krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim që dy vite. Ai ka thënë se është befasuar për të keq edhe me dënimin e krerëve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
“Nuk kam sesi të mos e them që isha shumë i befasuar për të keq për vendimin e Gjykatës Speciale”, tha ai për televizionin publik.
Konjufca po ashtu ka thënë se pavarësisht relacioneve që kanë pasur në Kosovë me ish-drejtuesit e shtetit të Kosovës dhe UÇK-së, asgjë nuk mund t’i përçajë.
“Relacionet që i kemi nuk duhet të jenë peng i grindjeve tona që i kemi pasur rreth politikave shtëpiake që kanë pasur të bëjnë me Republikën e Kosovës në të kaluarën. Ne që kemi qenë në politikë, qoftë edhe ata në të kaluarën të cilët kanë bartur pozicionet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, qoftë këta që jemi tani për shkak të vullnetit të qytetarëve duhet të udhëhiqemi vetëm nga një princip. Ne jemi një popull, ne kemi interesa të përbashkëta dhe në interesat tona të përbashkëta nuk do të mund të arrijnë të na përçajë askush. E aq më pak Serbia me Gjykatën Speciale e raportin e Dick Martyt, ne jemi të bashkuar si gishtat e dorës”, tha Konjufca.
Ai ka thënë se Kosova gjendet në një situatë shumë të vështirë me Gjykatën Speciale.
“Unë mendoj që sfida kemi pasur shumë edhe në të kaluarën, por janë shtuar shumë prej shkuriti të këtij vitit, edhe për shkak të agresionit të Rusisë mbi Ukrainën dhe krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar. Duhet të jemi shumë më vigjilent sesa që kemi qenë. Nuk e kemi komoditetin që për shkak të rrjedhave që ka pasur politika në vitet e kaluara tash të jemi peng dhe të mos i tejkalojmë. Jemi në një situatë shumë të vështirë sa i përket pozicionimit të Kosovës në këtë Gjykatë, sepse është Shtabi i Përgjithshëm, pra strukturat kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që po gjykohen”, shtoi Konjufca.
Kryeparlamentari Konjufca u shpreh se ka qenë dhe është kundër Gjykatës Speciale.
“Prej fillimit e kam quajtur të padrejtë dhe kështu do ta quajë gjithmonë. Mendoj po ashtu se nëse e shihni se çka po ju ndodhë anëtarëve të rëndësishëm të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen padrejtësisht atje, nuk kam se si ta quajë këtë zhagitje të gjykatës përveçse si një përpjekje për izolim të krerëve të cilët kanë qenë me përgjegjësi të larta dhe kryesore në UÇK. Meqenëse ne shumë shpejt jemi në prag të dyvjetorit të aktakuzës prej momentit kur u shpall aktakuza për krerët tanë të UÇK-së edhe pas dy viteve të thuhet prej gjykatës se po i shtojmë pjesë të tjera akuzës dhe në të njëjtën kohë të mos ia lejosh mbrojtjes qasjen shumë të shpejt. Mendoj që i kontribuon vetëm një procesi në daç quajeni të qëllimshëm. Për shkak se pasojat janë të njëjta, jemi në dyvjetorin e aktakuzës dhe prokuroria thotë se ka ende nevojë të përgatitet, gjykata thotë se ende nuk është e gatshme. Përderisa anëtarët e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe figurat e rëndësishme të Kosovës po mbahen atje të izoluar larg familjeve të tyre në pamundësi që të mbrohen në Kosovë dhe liri. Të gjitha këto e kanë pasur si rezultat izolimin e tyre, shkëputjen prej çdo veprimtare sociale, politike dhe familjare”, tha Konjufca.
Ai ka thënë se është duke i përcjell të gjitha seancat gjyqësore.
“Ata u izoluan dhe ende nuk jemi në atë fazën finale, ende nuk ka filluar dëgjimi i dëshmitarëve sidomos sa i përket z. Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi. Unë po i përcjellë edhe seancat gjyqësore, pra nëse e shihni procedurën prej aktakuzës deri në shtojcën e aktakuzës e cila do t’i merr edhe disa muaj shtesë me duket goxha shumë një proces që lë për të dëshiruar sa i përket normave universale dhe të drejtave të njeriut në procedurë gjyqësore”, u shpreh Konjufca.G