Konjufca për dialogun: Është finale që përcakton raportin shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur edhe për dialogun me Serbinë dhe kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kur e bëmë marrëveshjen e qeverisjes me LAN-in, ne kemi thënë se do të ishte mirë që Vetëvendosja t’i udhëheqë negociatat. Kjo mund të ndodhë në një marrëveshje të qeverisë së ardhshme, por ne nuk jemi të obsesionuar që patjetër t’i udhëheqim negociatat”, ka thënë Glauk Konjufca, në “Debat Plus” në “RTV Dukagjini”.
“Do të ishte diçka shumë pozitive nëse do të ndodhte që Vetëvendosje t’i udhëhiqte negociatat me Serbinë. Kjo finale është për të përcaktuar definitivisht raportin shtetëror mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Konjufca ka shtuar më tej se ky dialog nuk është për të drejtat e serbëve, sepse ata e kanë mbrojtjen nga Plani i Ahtisarit.
“Për serbët nuk është ky dialog, është për relacionin mes Kosovës dhe Serbisë. Çështje të hapur me Serbinë e kemi vetëm mosnjohjen”, ka deklaruar më tej Glauk Konjufca.