Konjufca për zgjedhjet e reja: Sa më herët aq më mirë për Kosovën, gara do të jetë për vendin e dytë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare është në të mirë të Kosovës.
Ai ka thënë se garën më të madhe e sheh për vendin e dytë, pasi sipas tij Vetëvendosja do të dalë përsëri e para.
Konjufca i ka përmendur edhe sondazhet e fundit që e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje të parën me një përqindje të lartë.
Konjufca ka thënë se zgjedhjet parlamentare nëse mbahen më shpejt është më mirë për Kosovën por që kërkon koordinim me institucionet përgjegjëse, përfshirë qeverinë e presidencën.
“Sa më herët ma merr mendja aq më mirë për Kosovën. Mirëpo natyrisht që qeveria i ka planet e veta, projektet që është duke i realizuar e pastaj në bazë të këtyre dyjave duhet të gjejmë një drejtpeshim në kohën më të mirë të zgjedhjeve e cila do të bëhet me marrëveshje me subjektet politike, po edhe në mes të kryeministrit, presidentes dhe meje si kryeparlamentar”, ka thënë Konjufca.
Ai e ka komentuar edhe koalicionin që pritet të lidhet ndërmjet AAK-së dhe Nisma Socialdemokrate.
“Koalicionet kanë ndodhur e ndodhin edhe tash. Aleanca ka qenë edhe më herët në një koalicion me Nismën me sa e mbaj mend po ndodh sërish, e sa i përket rezultatit të zgjedhjeve, çka me thanë, sondazhet janë, rezultatet janë të qarta, unë mendoj që gara ka me qenë një garë e ashpër për vendin e dytë”, ka thënë Konjufca.