Konjufca pranon letër urimi nga Shqiprim Musliu
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pranuar letër urimi nga zëvendëskryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim J. Musliu, për zgjedhjen e tij si krye parlamentar
“Statusi politik i shqiptarëve të Luginës, të drejtat e njeriut dhe përdorimi i simboleve kombëtare, diskriminimi etnik nga Beogradi zyrtar, pasivizimi i qytetarëve shqiptarë, pastaj problemet me jetën e përditshme në një vend si Lugina, janë temat kryesore me të cilat do të duhet të bashkërendohemi e të bashkëkoordinohemi për t’i dhënë zgjidhje këtyre problematikave nga i cili varet fati i shqiptarëve të trevës sonë”, është thënë në letrën e Musliut, i cili është djali i Jonuz Musliut.
Letra e plotë:
I nderuar Shkëlqesia Juaj, z. Glauk Konjufca,
Me kënaqësi e mirëprita zgjedhjen tuaj si Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe për këtë pranoni urimet e mia më të përzemërta. Dhe në fillim të uroj shëndet e njëkohësisht shumë suksese në sfidat që i keni përpara për të ardhmen e Kosovës, atdheut tonë të përbashkët.
Vërtet është një përgjegjësi dhe një detyrë e jashtëzakonshme, në një kohë të pazakontë kurjJu po e merrni detyrën, dhe që Republika në vazhdimësi është duke u përballur me shtetndërtimin, sovranitetin dhe stabilitetin politik në nivel vendi por edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Dhe në këtë mënyrë do t’ju duhet shumë punë, strategji e qëllime të përbashkëta për të pasur një Kosovë të fortë e demokratike.
Statusi politik i shqiptarëve të Luginës, të drejtat e njeriut dhe përdorimi i simboleve kombëtare, diskriminimi etnik nga Beogradi zyrtar, pasivizimi i qytetarëve shqiptarë, pastaj problemet me jetën e përditshme në një vend si Lugina, janë temat kryesore me të cilat do të duhet të bashkërendohemi e të bashkëkoordinohemi për t’i dhënë zgjidhje këtyre problematikave nga i cili varet fati i shqiptarëve të trevës sonë.
Sigurisht se është një sfidë e veçantë, por që ka peshë dhe përgjegjësi,Dhe jam mese i bindur se Ju e njihni mirë realitetin tonë dhe për këtë uroj që lidhjet tona të forcohen e në këtë formë të përdorni autoritetin tuaj për mirëqenien e qytetarëve të Luginës, për një jetë më të mirë në këtë vend e në këtë tokë.