Konjufca: Prezenca e deputetit në seancë është detyrim ligjor
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka organizuar sot tryezën e diskutimit: “Kuvendi i privilegjeve”.
Në këtë tryezë është publikuar edhe raporti me titull: “DOBËT: Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për mungesat e shpeshta të deputetëve nëpër seanca.
Sipas tij, prezenca e deputetit në seancë është detyrim ligjor dhe jo zgjedhje.
“Shfaqja e deputetit në seancë është detyrim dhe nuk është zgjedhje. Nëse ndërgjegjja e tij thotë: ‘nuk dua të vijë në seancë’, kjo është antiligjore. Nëse ne funksionojmë sipas ligjit si deputetë dhe nëse në ligj shkruan se ardhja në seancë është detyrim, atëherë a mund të më tregoni se çfarë është kjo?”.
“Ardhja në kuvend është obligim i fuqishëm, në të kundërtën duhet ta informosh kryetarin pse nuk ke ardhur në seancë”, ka thënë Konjufca.