Konjufca pritet nga homologu i tij në Austri

09 qershor 2022 | 16:08

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur të enjten në takim nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

Gjatë këtij takimi, kryeparlamentari Sobotka ka konfirmuar gatishmërinë e Republikës së Austrisë, në veçanti të parlamentit austriak, për vazhdimin e mbështetjes së Kosovës dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Konjufca, nga ana e tij, e falënderoi për pritjen homologun austriak dhe shprehu mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm të Austrisë ndaj Republikës së Kosovës, duke theksuar se Austria nuk është vetëm një shtet mik i dëshmuar historikisht, por edhe mbështetëse e Kosovës në të gjitha sfidat dhe rrugëtimet shtetndërtuese.

Ai po ashtu kërkoi mbështetjen e Austrisë për Kosovën në proceset e integrimit euroatlantik dhe të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit rikonfirmuan avancimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave parlamentare dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë mes dy shteteve tona.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe në lidhje me agresionin rus në Ukrainë dhe domosdoshmërinë e sanksionimit të Rusisë.

Pas takimit, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka shtroi drekë për nder të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Konjufca po qëndron për vizitë zyrtare në Austri. Gjatë qëndrimit atje, ai do të takohet edhe me zyrtarë të tjetër shtetërorë e institucionalë të këtij shteti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Ferat…