Konjufca priti në takim ambasadorin bullgar, diskutuan për thellimin e bashkëpunimit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev.
Duke e falënderuar për mbështetjen e shtetit bullgar ndaj Kosovës, Konjufca shprehu vlerësim për raportet shumë të mira mes dy vendeve, e në të njëjtën kohë potencoi nevojën për thellim të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.
Ambasadori bullgar, Hristo Gudjev e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe nënvizoi se Bullgaria do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen, duke përfshirë këtu edhe synimet e integrimit euroatlantik, si dhe shprehu gatishmërinë që përmes angazhimit të palëve të fuqizohen edhe më tutje marrëdhëniet mes vendeve tona.
Po ashtu, bashkëbiseduesit folën edhe për aktualitetin politik, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, duke u pajtuar për nevojën e bashkërendimit në drejtim të frenimit dhe parandalimit të të gjitha përpjekjeve destabiliziese që rrezikojnë stabilitetin rajonal, që është kusht i përparimit të gjithanshëm.