Konjufca priti në takim delegacionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal

21 prill 2021 | 14:55

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim delegacionin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të kryesuar nga Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme, Amer Kapetanoviq, shef i departamentit politik dhe Pranvera Kastrati, eksperte e lartë për lidhje ekonomike dhe digjitale.

Me këtë rast, kryekuvendari Konjufca ka konfirmuar gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të kontribuuar në realizimin e zotimeve dhe përgjegjësive si shtet pjesëmarrës në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal dhe atë të Procesit të Berlinit.

Ai ka thënë se vetëm angazhimi i përbashkët i të gjitha shteteve pjesëmarrëse në kuadër të këtij mekanizmi mund të sjellë progresin e synuar dhe përmbushjen e zotimeve të dala nga Procesi i Berlinit, siç janë fuqizimi i institucioneve, forcimi i demokracisë, zhvillimi i inovacionit e digjitalizimit, etj.

Konjufca ka theksuar se Kosova, siç dihet, gjendet në fazën e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe kjo i kontribuon përafrimit të politikave të përbashkëta publike drejt bashkimit në familjen evropiane.

Ai i ka njoftuar anëtarët e delegacionit lidhur me krijimin e institucioneve të reja, të dala nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, stabilitetin politik në vend, si dhe luftën kundër pandemisë Covid-19, përfshirë përpjekjet e vendit tonë për vaksinimin e popullatës.

Ndërsa, kryesuesja e delegacionit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, e ka uruar Konjufcën për detyrën e re në krye të Kuvendit, si dhe e ka njoftuar lidhur me prioritetet afatshkurtra në nivel rajonal, ndër të cilat tregu i përbashkët ekonomik, lëvizja e lirë dhe njohja reciproke e kualifikimeve akademike.

Palët po ashtu u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në shtyrjen e agjendave të përbashkëta të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të dala nga Procesi i Berlinit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Largimi i Sergio Agueros nga Manchester City në fund të…