Konjufca priti në takim kryetarin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Bardhyl Mahmuti
Një delegacion i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i përbërë nga kryetari i Qendrës, Bardhyl Mahmuti, zëvendëskryetari Adnan Asllani dhe drejtuesi i Qendrës në Kosovë Bujar Dugolli, u prit në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Temë e këtij takimi ishte kërkesa të cilën Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës që lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë.
Delegacioni i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” e informoi në hollësi Konjufcën lidhur me përmbajtjen e kërkesës që ia ka drejtuar institucioneve të Kosovës si dhe i dorëzoi dokumentacionin e nevojshëm me sqarime se çka përmban kjo kërkesë.
Kosova tashmë po hyn në çerekshekullin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të cilin shteti serb e ka zbatuar gjatë luftës së fundit, andaj kërkohet një dinamizëm më i madh në hedhjen e hapave në rrugëtimin drejt ngadhënjimit të drejtësisë.
Nga ana e tij kryetari i Kuvendit, Konjufca premtoi se do ta shqyrtojë me kujdes kërkesën e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” dhe do ta diskutojë me strukturat brenda Kuvendit të Kosovës për hapat e mëtutjeshëm.