Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin Abbott
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
Konjufca e falënderoi ambasadorin Abbott për bashkëpunimin e frytshëm dhe kontributin e tij të çmueshëm në ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve shembullore mes dy vendeve tona mike dhe aleate.
Kryetari i Kuvendit po ashtu shprehu mirënjohje dhe vlerësoi mbështetjen e gjithanshme, koherente dhe të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha proceset e shtetndërtimit, integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Me këtë rast, ambasadori Abbott e falënderoi Konjufcën për mikpritjen dhe ritheksoi vazhdimin e përkrahjes së shtetit britanik për Kosovën.
Duke i cilësuar të veçanta raportet dypalëshe, Konjufca dhe Abbott shprehën njëherësh gatishmërinë për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.