Konjufca priti në takim lamtumirës ambasadorin zviceran në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të hënën në një takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.
Është bërë me dije se Konjufca i ka shprehur mirënjohje Kollyt për përkushtimin e tij në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, si dhe i ka dëshiruar suksese në angazhimet e radhës.
Po ashtu, Konjufca i ka cilësuar të shkëlqyera raportet ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për forcimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha me interes të përbashkët. “Zvicra ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e institucioneve tona shtetërore”, ka theksuar kryetari i Kuvendit.
Duke e falënderuar Konjufcën për mikpritjen, Kolly i ka vlerësuar si të veçanta raportet në mes të popujve dhe dy shteteve tona.