Konjufca propozon që Kosova të mos aplikojë këtë vit për anëtarësim në Interpol
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e sotme të qeverisë ka kërkuar që të merret një vendim për aplikimin e Kosovës në Interpol.
Ai ka thënë se bazuar në analizat e brendshme të ministrisë që ai drejton Kosova nuk duhet të aplikojë për anëtarësim në Interpol këtë vit, pasi do të ketë sërish një rezultat negativ.
“Është me të vërtetë një çështje e ngutshme dhe shumë e rëndësishme. Është lënda aktive për aplikim të Kosovës në Interpol dhe ajo do të aktivizohet shumë shpejt, prandaj ne duhet të marrim një vendim goxha urgjent”.
“Sipas analizave të brendshme të ministrisë të cilën unë e përfaqësoj gjendja nuk duket shumë optimiste krahasuar me dy vitet e kaluara. Me thënë të drejtën, Kosova nuk ka ndryshuar shumë pozicion sa i përket mbështetjes prej shteteve të cilat e kërkojnë Kosovën të anëtarësohet në Interpol, nëse krahasoni votimet me dy vitet e kaluara”.
“Ne duhet të marrim një vendim. Vendimi, sipas analizave dhe të gjitha parametrave, thotë që Kosova do ta kishte të njëjtin rezultat po të aplikonte edhe këtë vit”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se në mënyrë që Kosova të mos dështojë edhe njëherë të anëtarësohet në Interpol, aplikimi duhet të shtyhet për vitin tjetër dhe në ndërkohë të punohet për këtë çështje.
“Kjo çështje është shumë e ngutshme, sepse më 1 ose 2 mars kjo çështje vendoset. Ne duhet t’i lajmërojmë institucionet përkatëse që Kosova këtë vit nuk do të aplikojë. Me thënë të drejtën, sipas burimeve prej ministrisë që unë përfaqësoj kjo është këshilla e miqve dhe mbështetësve tanë të cilët kanë votuar pro që Kosova të jetë pjesë e Interpol-it”, është shprehur Konjufca.