Konjufca: Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit për destabilitet e luftë në rajonin tonë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Vladimir Putinit për destabilitet e luftë në rajon.
Në dyvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë, Konjufca ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të nxitur luftë e përçarje. Këtu ka përmendur edhe Serbinë.
“Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqendrim, luftë dhe përçarje”, ka shkruar kryeparlamentari në “Facebook”.
Ai tutje ka shprehur mbështetjen e Kosovës për fitoren e Ukrainës.
“Me një Serbi të gatshme për t’ shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë”.
Sipas tij, këto dy vite që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, shënojnë fazën kur në mënyrë të qartë botës iu ofruan dy propozime, njëri që thërret për radhitje nën emrin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë, e tjetri që dëshiron nënshtrim, pushtim, shfrytëzim dhe krime kundër njerëzimit.
“Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian”.
“Liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive të tyre. Liri Ukrainës dhe popullit të saj!”, ka përfunduar Konjufca.