Konjufca: ShBA-ja, pishtare e demokracisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me rastin e 246-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Konjufca ka thënë se ShBA-ja është pishtar i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut.
“ShBA është pishtari i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut dhe shtylla kryesore për paqen dhe stabilitetin në mbarë botën. Ishte edhe fanari i lirisë për Kosovën dhe mbetet aleati më i madh i popullit tonë. Miqësia e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë i cili ka udhëhequr lidhjet tona të forta tash e sa vite, në mbrojtje, siguri, përparim ekonomik dhe marrëdhënie tjera strategjike dhe ndërnjerëzore. Ky bashkëpunim dhe partneritet çdo ditë po rritet dhe po forcohet edhe më shumë”.
“Populli i Kosovës qëndron i përkushtuar, siç ka qëndruar gjithmonë, krah Shteteve të Bashkuara. Do të punojmë së bashku për të adresuar sfidat e ndryshme si në rajon ashtu edhe në rrafshin global. Edhe pse gjeografikisht të largët, ne ndajmë një botëkuptim dhe interesa të përbashkëta për të avancuar idealet e paqes dhe prosperitetit. Pavarësia është një vlerë për të cilën populli shqiptar ka luftuar shumë dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se sa e çmuar është ajo. Shpreh urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta për popullin amerikan në 246-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.