Konjufca: Shkëmbimi i territoreve dhe “Zajednica” janë sinonime të ndarjes së Kosovës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe zyrtari i lartë i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka deklaruar se shkëmbimi i territoreve dhe “Zajednica” janë sinonime të ndarjes së Kosovës.
Në një konference për medie, në pesë vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), Konjufca ka thënë se kjo çështje është aktuale edhe sot.
“Sot është 5-vjetori i nënshkrimit të Zajednicës, në të cilën e pat hedhur nënshkrimin kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa. Fatmirësisht marrëveshja u hodh poshtë nga Kushtetuesja, pasi në 23 pika u shpall jo-kushtetuese, por për shoqërinë, shtetin dhe popullin tonë ka qenë shumë tronditëse deri në cilën pikë mund të shkojnë politikanët që e përfaqësonin vendin në atë kohë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, kjo marrëveshje do të duhej të hidhej poshtë e të harrohej, meqenëse Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si antikushtetuese.“Fatkeqësisht në LDK dhe në partitë e PAN-it ka dy lloj të politikanëve, pro Zajednicës dhe pro shkëmbimit të territoreve. Prandaj duhet të ngrehim këtë çështje, pasi është vetëm LV-ja që i refuzon dhe i kundërshton të dyja”, është shprehur ai, duke shtuar se këto dy tema duhet të kundështohet nga të gjtihë. “Edhe shkëmbimi, edhe Zajednica janë sinonime të ndarjes së Kosovës. Zajedenica është njëfarë bosnjëzimi i Kosovës”, ka deklaruar.