Konjufca takohet me ambasadorin e Bullgarisë, diskutojnë forcimin e bashkëpunimit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të hënën në takim ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev, me të cilin ka biseduar për proceset aktuale politike në vendin tonë dhe për punën e institucioneve të Republikës së Kosovë gjatë vitit që po e lëmë pas, me theks të veçantë të Kuvendit.
Me këtë rast, Konjufca ka falënderuar ambasadorin Gudjev për mbështetjen që Sofja zyrtare i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në proceset e saj zhvillimore dhe eurointegruese, si dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Më tutje, Konjufca ka theksuar nevojën e vazhdimit të kësaj mbështetjeje edhe në të ardhmen, si dhe të forcimit të bashkëpunimit në fusha të interesit reciprok, me theks të veçantë në atë parlamentare, në të gjitha nivelet e saj.