Konjufca takohet me ambasadorin e Pakistanit, bisedojnë për zhvillimet politike
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin jorezident për Kosovën të Republikës Islamike të Pakistanit, Yousaf Junaid.
Në takim, përveç tjerash është diskutuar për marrëdhëniet miqësore, zhvillimet politike aktuale, si dhe janë shkëmbyer pikëpamje në lidhje me mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha dhe sektorë të ndryshëm me interes të ndërsjellë.
Kryetari Konjufca i ka vlerësuar të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe ka theksuar se Republika e Kosovës është e vendosur për forcimin e lidhjeve miqësore dhe avancimin e bashkëpunimit me Pakistanin, përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave parlamentare.
Duke u shprehur mirënjohës ndaj shtetit pakistanez, kryetari i Kuvendit po ashtu ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare.
Ndërsa ambasadori Junaid, i cili shërben si ambasador rezident në Turqi, pasi e ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, ka konfirmuar mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të Pakistanit për Republikën e Kosovës dhe ka shprehur përkushtimin për fuqizimin e raporteve në mes të dyja shteteve.