Konjufca takohet me ambasadorin e Zvicrës, bisedojnë për zhvillimet aktuale në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe për zhvillimet aktuale në Kosovë.
Kryetari Konjufca ka vlerësuar lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke potencuar nevojën për kultivimin dhe begatimin e mëtejmë të tyre.
Konjufca ka falënderuar ambasadorin Kolly për përkrahjen ndaj Kuvendit dhe institucioneve të tjera relevante të Republikës së Kosovës, duke theksuar nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërsa ambasadori Kolly, ka konfirmuar mbështetjen e plotë të shtetit të tij për Kosovën dhe për Kuvendin e saj në veçanti, nëpërmjet programeve të caktuara dhe shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme të jetës parlamentare.
Ishte dakordim i përbashkët se midis dy parlamenteve ekziston një bashkëpunim tashmë i konsoliduar, i cili është shprehur edhe nëpërmjet vizitave të ndërsjella të grupeve të miqësisë, të takimeve të ndryshme të komisioneve simotra, si dhe të realizimit të programeve mbështetëse për Kuvendin e Republikës së Kosovës.