Konjufca takohet me anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut, i falënderon për mbështetjen
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të mërkurën në takim anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes të Bundestagut gjerman, bashkë me kryetaren e këtij komisioni, Marie-Agnes Strack-Zimmermann.
Kryetari Konjufca ka shprehur mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të vyer të shtetit gjerman ndaj Republikës së Kosovës, duke falënderuar anëtarët e komisionit për angazhimin në drejtim të forcimit të bashkëpunimit mes vendeve tona në fushën e parlamentarizmit, të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai ka thënë se vendet tona mike dhe partnere ndajnë ngushtësisht interesa të përbashkët, e kjo mundëson të hapim gjithnjë e më shumë gamën e raporteve dhe forcimin e tyre.
Nga ana e anëtarëve të Komisionit gjerman të Mbrojtjes, ata janë shprehur se mbështetja gjermane ndaj vendit tonë do të vijojë, përfshirë edhe në drejtim të ruajtjes së integritetit, sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës, si kontribut edhe për stabilitetin rajonal.
Kryetaren dhe anëtarët e Komisionit të Mbrojtjes gjermane, kryetari Konjufca i ka njoftuar me punën e Kuvendit të Kosovës në çështjet e mbrojtjes, e në anën tjetër, i ka njoftuar edhe me zhvillimet në vendin tonë, ku ka vlerësuar lart praninë e shtuar gjermane në Kosovë me trupat e angazhuar në kuadër të KFOR-it dhe rëndësinë e kësaj në një kohë kur shteti serb angazhohet për destabilizim të vendit tonë dhe rajonit.
Anëtarët e komisionit gjerman e kanë falënderuar kryetarin e Kuvendit për mikpritjen dhe i kanë shprehur gatishmërinë e tyre për zhvillimin e angazhimeve të përbashkëta në kuadër të interesave të dyanshme.