Konjufca takohet me anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme të Çekisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë.
Në këtë takim është diskutuar për situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit të dyanshëm.
Konjufca ka vënë në pah aspiratat dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe angazhimet e institucioneve për garantimin e paqes dhe sigurisë, në kohën, kur shteti serb po angazhohet për destabilizim të vendit tonë dhe rajonit.
Kryetari Konjufca, ka shprehur mirënjohje për kontributin e gjatë dhe të vyer të shtetit çek ndaj Republikës së Kosovës, duke i falënderuar anëtarët e Komisionit për angazhimin në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në fushën e parlamentarizmit, të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ndërsa anëtarët e Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, Siguri dhe Mbrojtje nga Republika e Çekisë, e kanë falënderuar kryetarin e Kuvendit për mikpritjen dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.