Konjufca takohet me kongresistin republikan, flasin për njohje të reja
Në vazhdën e takimeve që po zhvillon këtë javë në Uashington, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca është takuar edhe me kongresistin nga radhët e Partisë Republikane, njëherit anëtar i Grupit të Miqësisë për Çështje Shqiptare në kuadër të Kongresit, Robert Aderholt.
“Në një bashkëbisedim miqësor me z. Aderholt, theksova punën dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës sa i përket agjendës euroatlantike të Kosovës, avancimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe dialogun me Serbinë”, ka njoftuar Konjufca.
Ai ka thënë se shkëmbyen pikëpamjet lidhur me zhvillimet aktuale politike dhe situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
“Ndër të tjera diskutuam për rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes Kosovës e ShBA-ve në fusha të interesit të dyanshëm”, ka bërë me dije Konjufca.