Konjufca takohet me një delegacion nga ShBA-ja: Aleanca jonë mbetet e palëkundur

15 nëntor 2022 | 10:58

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (House Democracy Partnership-HDP) të Kongresit të ShBA-së, në përbërje Mike Bishop, ish-kongresist nga Partia Republikane, Derek Luyten, drejtor ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, specialiste për Menaxhimin e Sistemit Informativ Legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, analiste për çështje evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, drejtoreshë e përgjithshme e Qeverisjes në Zyrën Qendrore të NDI në Uashington DC.

Në takim janë shkëmbyer pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit.

Kryetari Konjufca i ka shprehur mirëseardhje delegacionit amerikan dhe i falënderoi për vizitën e tyre në Kosovë.

Po ashtu, Konjufca i ka njoftuar mysafirët në lidhje me efikasitetin e punës së Kuvendit dhe trupave të tij.

Edhe me këtë rast, kryetari i Kuvendit ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e pakursyer që vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, duke theksuar se miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura.

Kryetari Konjufca dhe delegacioni i HDP-së janë pajtuar për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe shkëmbimin e përvojave në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka theksuar se për shkak…