Konjufca takohet me Plenkoviqi, bisedojnë për liberalizimin e vizave
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, këtë të hënë ka pritur në takim kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, më të cilin folën për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, liberalizimin e vizave, integrimin evropian, shkëmbimet ekonomike e zhvillimet politike në rajon.
Konjufca, në këtë takim ka vlerësuar marrëdhëniet bilaterale në mes të Kosovës dhe Kroacisë, ku e ka falënderuar Plenkoviqin për përkrahjen që shteti kroat, sipas tij, i ka dhënë Kosovës në proceset e shtetndërtimit.
Kryetari Konjufca po ashtu i ka shprehur mirënjohje të veçantë kryeministrit kroat për kujdesin dhe ndihmën e ofruar me rastin e aksidentit tragjik të autobusit me bashkatdhetarët tanë në Slavonski Brod.
Duke e konsideruar Kroacinë si partner strategjik të vendit tonë, i pari i Kuvendit ka ritheksuar se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët dhe se të tilla duhet të jenë edhe qëllimet, prandaj shteti ynë është i përkushtuar për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ndërsa kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka konfirmuar mbështetjen e shtetit kroat për Kosovën në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës, përkrahjen për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e shtetit tonë në organizata ndërkombëtare.