Konjufca takon organizatat partnere të Kuvendit: Për transparencë jemi përpara vendeve të rajonit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim organizatat partnere të Kuvendit.
Konjufca ka thënë se demokracia parlamentare është baza e zhvillimit të sistemit politik dhe se transparenca e Kuvendit me shoqërinë civile është shumë përpara me vendet e rajonit.
“Ka qenë takim i nevojshëm dhe i rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës, për shkak se unë besoj se demokracia parlamentare është baza e zhvillimit tonë dhe sistemit tonë politik. Meqenëse edhe me Kushtetutë ne jemi demokraci parlamentare, roli i Kuvendit për zhvillimin e vendit është qendror”, ka thënë ai, duke u zotuar se takime të tilla do të mbahen më shpesh.
“E konsideruam të nevojshme të takohemi dhe zotohem se takime si këto të mbahen sa më shpesh. Për neve është e çmueshme për arsye se ne i realizojmë objektivat tona që janë për interesin e qytetarit të Kosovës, kështu që për këto vite si institucion përfaqësues Kuvendi ka arritur që duke përfshirë shoqërinë civile ta kthejmë në nivelin e transparencës e që është ndër vendet e para në rajon. Ky takim le të na shërbejë si nevojë për diskutim për atë se çka është arritur deri tash”, është shprehur Konjufca. /EO/