Konjufca: Të gjendet një formë e re e asociacionit

07 shkurt 2023 | 13:14

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se plani franko-gjerman është i pranueshëm për Kosovën, pasi në të nuk ka Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Por, ai e pranon se në atë plan Kosova e merr një obligim për zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.

Dhe meqë këtë asociacion e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, sipas tij, duhet të gjendet një formë e re e asociacionit.

Konjufca ka thënë se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë kërkuar që të ruhet konfidencialiteti dhe plani i njohur fillimisht si franko-gjerman, të mos bëhej publik. Ai ka zbuluar se kryeministri Albin Kurti e ka pasur këtë plan që nga shtatori 2022.

“Këtë plan, qeverisë, mesa e di unë, përfaqësuesit gjermanë dhe francezë ia kanë dorëzuar në shtator të vitit të kaluar, mirëpo ky plan është kërkuar nga vetë propozuesit që mos të ndahet shumë me publikun, të kufizohet maksimalisht për shkak që përderisa palët janë në biseda e sipër dhe u prezantohet fillimisht atyre, sepse procesi mund të shkatërrohet nëse nuk ruhet konfidencialiteti”, ka thënë Konjufca, raporton “EO”.

Sipas tij, kryeministri Kurti para tre muajsh ka thënë se ky plan është bazë e mirë që të vazhdohet më tutje.

“Nuk e di përse i gjithë ky pluhur kur kryeministri ka thënë se ky plan është i pranueshëm për Kosovën, për arsye se aty nuk përmendet kurrfarë asociacioni”, është shprehur Konjufca.

Sipas tij, e tëra që mund të aludohet për nënkuptim në atë plan është që marrëveshjet e deritanishme të arritura në dialog.

“Pra Kosova e merr një farë obligimi për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog, pra në këtë aspekt mund të thuhet eksplicit është referenca e asociacionit. Por çështja është se këtë asociacion e ka hedhur poshtë Kushtetuesja dhe tash çështja është të gjendet një formë e re e asociacionit”.

“Unë mendoj se janë dy rreziqe për Kosovën. E pse kjo nuk është zgjidhja më e mirë dhe pse është kompromis. Është kompromis sepse nuk e ka njohjen legale, por është njohje ‘de facto’, pra shtetësia e Kosovës nga Serbia nuk pranohet drejtpërdrejt por në mënyrë të tërthortë”, ka thënë Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Brooklyn Nets, Kyrie Irving ka kaluar te Dallas…