Konjufca: Themelet e lirisë dhe shtetit qëndrojnë mbi sakrificën e dëshmorëve
Me rastin e 5 Majit, Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka vizituar disa vatra të rezistencës çlirimtare në Kosovë dhe ka nderuar dëshmorët e martirët e rënë për lirinë e vendit tonë.
Konjufca të mërkurën e ka filluar me nderime në Prekaz, te varri i komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial në Morinë.
Pasi vendosi lule dhe ka nderuar të rënët, kryetari i Kuvendit ka vazhduar për në Gllogjan, për të bërë homazhe në Kompleksin “Dëshmorët e Kombit”.
Nderimin për heronjtë, kryekuvendari Konjufca e ka përmbyllur në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, duke vendosur lule pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti.
“Sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit qëndron e shenjtë në themelet e lirisë. Pa luftën e tyre për liri, ne nuk do ta kishim shtetin tonë e as pavarësinë. Është obligim institucional t’i nderojmë e t’i kujtojmë të rënët për liri. Ata kanë rënë në të kaluarën por nuk janë pjesë e së shkuarës, por janë shumë aktualë”, ka thënë Konjufca.