Konjufca thotë se bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet Kosovë-Serbi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të hënën se bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe duhet të jetë më e përcaktuar se çfarë dëshiron prej dy vendeve.
Ai ka thënë se nuk pret diçka as nga rundi i ardhshëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, që është paralajmëruar të mbahet, edhe as në drejtim të kërkesave që i janë bërë Kosovës për heqje të masave ndaj qarkullimit të mallrave serbe.
“Dialogu, në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011, e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë, sepse informatat të cilat i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet tona të sigurisë, tregojnë qartë se ky grup i madh kriminal e ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë prej shtetit serb”, ka thënë Konjufca në një konferencë për medie.
Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po tregohet e rezervuar në ndëshkim të Serbisë, ndonëse, sipas tij, ka informacione se shteti serb qëndron pas sulmit të Banjskës.
“Ne jemi të vetëdijshëm dhe kjo është e qartë që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në relacionet mes Kosovës dhe Serbisë, për këtë arsye besoj që duhet një drejtm krejt i ri”, ka thënë Konjufca, duke iu referuar dialogut në Bruksel, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.